Cikloni në jug të vendit – (10 Prill 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Ciklon në jug të vendit. Ditët e fundit rajoni jugor i vendit u përfshi nga një ciklon i papritur i cili shkaktoi shumë dëme. Një erë e fortë shkatërroi linjën e tensionit të lartë 110 kë, në segmentin Ballsh – Tepelenë, në afërsi të komunës së Krasit. Nga rrëzimi i plepave anash rrugës nacionale Tepelenë – Gjirokastër dhe Tepelenë – Përmet u këpuën linjat e tensionit 220 kë dhe ato telefonike.
Për disa orë qytetet Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë mbetën pa energji. Në Këlcyrë, Qesarat, Lunxhëri dhe Zagori era shkatërroi çatitë e banesave dhe antenat parabolike e dëme të tjera. Dëme u shkaktuan dhe në pyjet me pisha ku cikloni shkuli me rrënj qindra pemë.
Në pikën e Sopotit ku janë përqëndruar antenat e radio RL-ve të televizioneve dhe Telekomit, stuhia shkaktoi zhvendosjen e antenave, çka shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të transmetimeve televizive dhe komunikimin telefonik me sistem radio RL. Prefektura e Gjirokastrës në rastet kur dëmet ishin më të mëdha ka bërë evidentimin dhe vlerësimin e tyre./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj