Çmendet moti, i gjithë vendi përfshihet nga rreshjet
Nga 38 gradë që termometri shënonte në fillim të javës, fundjava ka sjellë rënie drastike të temperaturave, por edhe rrebeshe shiu thuajse në të gjithë vendin. Ndikimin më të madh, moti i keq e ka patur në zonat bregdetare, duke bërë që pushuesit të braktisin palzhin. Kjo është situata në bregdetin e Vlorës, ku rreshjet e shiut kanë vijuar edhe në orët e para të së shtunës.
Si pasojë e rreshjeve të mëdha të shiut, rruga Lezhë – Shëngjin është bllokuar për disa orë, mbrëmjen e së premtes. Shkak është bërë rrëshqitjet e gurëve nga mali në trasenë e rrugës, duke e bërë të pakalueshme lëvizjen e automjeteve. Përfaqësuesit e firmës mirëmbajtëse të rrugës pasi kanë zhbllokuar këtë situatë thonë se ky segment rrugor është tepër i rrezikshëm.
Situata e paqëndrueshme e motit me rrebeshe shiu, erë dhe temperatura të ulëta do të jetë prezente edhe përgjatë të dielës. Sinoptikanët parashikojnë se mesjava që vjen do të sjellë sërish temperatura ekstreme, që do të kapin edhe vlerën e 39 gradëve.
Tv Klan