“Çmendet” shoferi, lëviz me shpejtësi në kahun tjetër të rrugës
Një ngjarje sa e pazakontë aq edhe e rrezikshme u shënua këtë të mërkurë në aksin rrugor Thumanë-Milot-Lezhë. Për shkaqe ende të paqarta, një shofer po ecte me makinë në korsinë e shpejtësisë… në sens të kundër të rrugës.
“Paraditen e sotme, rreth orës 09:30, patrulla e Policisë Rrugore të DVP Lezhë që ishte në patrullim në aksin rrugor Thumanë-Milot-Lezhë, ka konstatuar një automjet tip “Benz” duke qarkulluar me shpejtësi në korsinë e shpejtësisë, në sens të kundërt, nga Mamurrasi për në Thumanë, duke rrezikuar seriozisht përfshirjen në ngjarje rrugore”.
Autoritetet policore bllokuan makinën, ndërsa proceduan në OASH shoferin, për lëvizje në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar.
“Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën horizonte dhe vertikale dhe të mos kryejnë manovra të gabuara apo të qarkullojnë në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar, pasi rrezikojnë seriozisht jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”./tvklan.al