Ç’mendim kanë politikanët shqiptarë për zgjedhjet presidenciale në SHBA (8 Nëntor 2000)


Ç’mendim kanë politikanët shqiptarë për zgjedhjet presidenciale në SHBA (8 Nëntor 2000)

12:08 08/11/2000

Ankthi për rezultatet e votimeve për Presidentin e SHBA-së ka pushtuar ambjentet e politikës shqiptare. Në mëngjes në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Tiranë Limpreht janë gjetur bashkë politikanë të majtë dhe të djathtë, por ndërsa socialistët të heshtur kanë pritur humbjen paraprake të Algorit, të djathtët nuk kanë qenë dhe aq të bindur në fitoren e Bush.

“Ju mendoni se Algori ka humbur? Nuk do të futesha në aq thellësi në fushën e spekulimeve dhe në SHBA, por të dy kandidatët sapo kanë dalë në media dhe Algori ka thënë, mendova se kisha humbur, por kjo nuk është akoma e vërtetë dhe Xhorxh Bush i Riu ka thënë mendova se kisha fituar, por kjo nuk qenka akoma e vërtetë. Ka një rinumërim të votave në Florida që të vendosë rezultatet.”

Kryediplomati Milo u shpreh se cilido që merr në dorë çelësat e Shtëpisë së Bardhë nuk do të ndikojë në raportet aktuale Shqiptaro-Amerikane.

“Është dhe njëherë tjetër, një dëshmi tipike e funksionimit të demokracisë amerikane në mënyrë të përkryer. Pavarësisht se kush do të vijë në Shtëpinë e Bardhë ndryshimet në politikën e jashtme nuk janë thelbësore sepse në politikën e jashtme të çdo vendi reflektohen interesat themelore dhe strategjike të secilit vend dhe çdo president apo qeveri që vjen në pushtet nuk mund të ndryshojë thelbin e politikës së jashtme, boshtin e politikës së jashtme. Mund të ketë aleanca, mund të ketë biseda apo ndryshime të pjesshme, por gjithsesi nuk ka ndryshim të boshtit politik. Politika amerikane nuk do të devijojë nga boshti i saj politik dhe strategjik qoftë në rajon qoftë dhe në vende të tjera të botës.”/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme