Çmimet Velia – (1 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Fondacioni Velia ka ndarë sot çmimet e vitit 1998 për letërsinë dhe gazetarinë. Në një ceremoni të organizuar në hotel “Tirana”, drejtoresha e këtij fondacioni Mira Meksi ka komunikuar për të katërtin vit çmimet, të cilat sipas saj do të kontribuojnë për të vënë një gur në themelet e kritikës shqiptare. Me çmim të parë në prozë është vlerësuar Zija Çela me romanin “Banketi i hijeve”.
Një tjetër çmim i është dhënë Moikom Zeqos me vellimin poetik “Meduza e dashuruar mban syze dielli”. Janë ndarë dhe katër çmime të gazetarisë. Arta Marku, Dhimitër Pecani, Ahmet Shqarri dhe Blendi Fevziu, janë gazetarët fitues të çmimit Velia. Fituesi i çmimit të parë në prozë Zija Çela pas marrjes së çmimit u shpreh:
Zija Çela:- “Mendoj që për kushtet aktuale në Shqipëri çmimet e kësaj natyre kanë një vlerë të dyfishtë. Së pari në një moment që kritika letrare ende nuk arrin t’i bëjë mire seleksionimin e vlerave këto lloj çmimesh japin një kontribut të kësaj natyre. Por natyrisht kjo nuk do të thotë që patjeter romani që fiton çmim doemos ka qenë më i miri. Mundet që atë çmim ta marrin dhe vepra të tjera. Dhe së dyti është një mundësi për një zgjerim të hapësirës në kuptimin e lirisë ekonomike./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego