Nobel në Kimi për dy zbuluesit e katalizatorëve organikë


Nobel në Kimi për dy zbuluesit e katalizatorëve organikë

12:41 06/10/2021

Ndihmon proceset kimike në prodhim, duke mbrojtur mjedisin

Gjermani Benjamin List dhe amerikani David MacMillan janë fituesit e çmimit 1.1 milionë Dollarësh të Nobelit në Kimi për këtë vit. Dy kimistët 53-vjeçarë janë zbulues të katalizatorëve organikë, një lloj i ri katalize që e bën këtë proces më të thjeshtë, më efikas dhe në mbrojtje të mjedisit.

Katalizatorët janë molekula që drejtojnë dhe përshpejtojnë proceset kimike dhe përdoren në fusha të ndryshme. Ato qarkullojnë në trupin e njeriut në formë enzimash që përpunojnë molekulat e nevojshme për të jetuar, ndërsa përdoren edhe në industri për prodhimin e materialeve elastike dhe të forta, tek bateritë në ruajtjen afatgjatë të energjisë, tek automjetet për shpërbërë substancat helmuese në gazra të padëmshëm që lëshohen në atmosferë por edhe për prodhimin e ilaçeve që pengojnë përparimin e sëmundjeve.

Katalizatorët organikë kanë një strukturë të qëndrueshme të atomeve të karbonit, të cilave mund t’i bashkohen grupe kimike më aktive. Ato përmbajnë elementë të zakonshëm si oksigjeni, azoti, squfuri ose fosfori. Katalizatorët e përdorur gjerësisht deri më tani përmbajnë elementë të metaleve dhe enzima.

Tv Klan






Të ngjashme