Covid-19, Maqedonia kryeson në rajon për numër vdekjesh
240 viktima në 1 milion banorë
Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 75 raste të reja me COVID-19 duke e cuar numrin e përgjithshëm në 11.202 të prekur. Autoritetet e shëndetësisë kanë raportuar edhe për 5 viktima tjera kurse janë shëruar 136 pacientë.
Deri më tani janë bërë mbi 105 mijë testime që do të thotë se çdo i dhjeti i testuar ka rezultuar pozitiv. Sipas statistikës zyrtare, çdo i njëzet i dyti rast pozitiv përfundon me vdekje.
Të dhënat flasin se Maqedonia e Veriut gjendet në mesin e 10 vendeve të Evropës sipas numrit të viktimave në 1 milion banorë.
Konform numrave të fundit kanë ndërruar jetë 240 pacientë në 1 milion banorë që Maqedoninë e rendit në vendin e 9-të në Evropë dhe e bën lider në rajon.
Nga Ballkani, Bosnja e Hercegovina shënon 110 viktima në 1 milion banorë, në Mal të Zi 83 viktima, në Serbi – 68 dhe në Shqipëri – 60. Statistikë më e mirë shënohet në Greqi ku nga fillimi i krizës kanë ndërruar jetë 209 pacientë apo 20 në 1 milion banorë.
Tv Klan