Covid-19 thyen rekorde në gjithë Europën


Covid-19 thyen rekorde në gjithë Europën

15:39 08/10/2020

19 mijë infektime në Francë, shtim i ndjeshëm i rasteve në Gjermani e Itali

Ky 24 orësh ishte më i errëti për pandeminë e Covid-19 në Europë. Pjesa më e madhe e vendeve të kontinentit shënuan rekorde absolute të rasteve të reja ditore, duke kapërcyer disa herë ato të vendosura gjatë karantinës së parë të periudhës Mars-Maj.

Franca shënoi shifrën më të lartë në Europë dhe në vend që prej nisjes së pandemisë, rreth 19 mijë infektime ditore, gati 5 mijë më shumë se rekordi i 3 ditëve më parë.

Vëmendjen e ka tërhequr edhe shtimi i ndjeshëm i rasteve ditore në Gjermani, ku 24 orëshi i fundit shënoi mbi 4 mijë infektime, një shifër që i afrohet edhe më shumë rekordeve ditore prej 6 mijë infektimesh të fazës së parë të pandemisë.

Për të parën herë prej Prillit edhe Italia shënoi më shumë se 3 mijë infektime ditore. Rekorde ditore janë shënuar edhe në Çeki, Sllovaki, Poloni, Austri e Kroaci. Në të gjitha këto vende, masat kundër përhapjes së pandemisë janë ashpërsuar ditët e fundit, e megjithatë rezultatet nuk po duken ende.

Tv Klan






Të ngjashme