Çuçi: Ardi Veliu nuk u shkarkua, dha dorëheqjen pa presion
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi nga emisioni “Opinion” këtë të martë se Ardi Veliu e ka dhënë vetë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çuçi tha se mandati i Veliut ka qenë i suksesshëm.
Blendi Fevziu: Përse u largua drejtori i Policisë?
Bledi Çuçi: Dha dorëheqjen, absolutisht dha dorëheqje, ai ka gjykuar që të japë dorëheqjen, padiskutim është një dorëheqje që vjen jo e shtyrë dhe jo nën presion, por është një dorëheqje që ai e ka marrë në një moment dhe në një ushtrim të mandatit me shumë sukses sipas meje.
Blendi Fevziu: Si shpjegohet që lajmi doli rreth mesditës, ishit ju që latë të kuptohet që nuk është e vërtetë, dhe pastaj doli që ishte i vërtetë. Në cilën orë e ka paraqitur dorëheqjen dhe a ishit ju në dijeni kur ishit në komision?
Bledi Çuçi: E rëndësishme është që nuk kemi të bëjmë me shkarkim. Unë nuk e di si ka qarkulluar lajmi. Unë kam qenë në mbledhjen e komisionit për 2 orë e gjysmë dhe nuk e kam ndjekur gjithë dinamikën e ecurisë së lajmit, por është e vërtetë që drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu, ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është shkarkuar, sepse nuk ka pasur arsye. Mandati i Ardi Veliut është një mandat i suksesshëm.
Blendi Fevziu: Kur e kishit informacionin që Ardi Veliu do të jepte dorëheqjen?
Bledi Çuçi: Informacionin e mora pasi mbarova Komisionin e Sigurisë në parlament që Ardi Veliu dha dorëheqjen.