“Culture Trip” rekomandon Shqipërinë
Teksa sezoni veror po afron, faqet e specializuara kanë nisur të këshillojnë pushuesit për destinacionet më të pëlqyera, por edhe më me leverdi për 2019-ën.
“Culture Trip”, sajti online kushtuar turizmit, e ka renditur bregdetin shqiptar ndër 8 pikat turistike më të veçanta në Ballkan.
“Riviera shqiptare ende është e panjohur për të huajt, por me ujin e kaltër, plazhet e virgjër dhe shpellat, është një vend i përkryer për një arratisje romantike, por edhe të përballueshme”, shkruhet në artikullin turistik.
Këshilla që “Culture Trip” jep për lexuesit e tij është që të eksplorojnë rivierën shqiptare me një makinë me qira, e të ndalojnë kudo ku shohin një breg shkëmbor.
Artikullin e “Culture Trip” e ka ndarë me lexuesit edhe Kryeministri Rama që përmend faktin se Shqipëria është vlerësuar një gur i çmuar për eksploruesit e vërtetë dhe i përshtatshëm për ata çifte që kanë nevojë për diçka më shumë se një plazh dhe një koktej.
Shqipëria si destinacion turistik sugjerohet gjithashtu nga tabloidi britanik “The Sun”, që e ka pagëzuar vendin tonë si “Kroacia e re”. “Plazhi i Drimadhesit, me hotele të këndshëm e çmime shumëherë më ekonomike se Greqia e Italia fqinje, të ofron shijen e parajsës shqiptare”, thuhet në artikull.
Tv Klan