Daimler tërheq nga tregu 300 mijë Mercedes
Shkak, një defekt në sistemin elektrik
Prodhuesi i madh gjerman i mjeteve motorike ‘Daimler AG’ po tërheq nga qarkullimi gati 300 mijë automjete Mercedes-Benz nga rreziku i përfshirjes nga flakët. Siç njofton media prestigjoze amerikane Bloomberg, disa mjete të modelin E-Class dhe CLS me naftë të prodhuara mes viteve 2015 – 2019 do të dërgohen në pikat e riparimit për të zgjidhur problemin e lagështirës që mblidhet në konduktorin elektrik që shpërndan energjinë në gjithë automjetin.
Autoriteti Federal i Transportit Motorik në Gjermani paralajmëron përmes një deklarate se ky problem mund të çojë në përfshirjen nga flakët të automjetit.
Zëdhënësit e ‘Daimlerit’ thanë për Bloomberg se për rregullimin e konduktorit dhe rrjetit të telave elektrikë duhet rreth 1 orë për çdo automjet.
Nga 298 mijë automjetet që preken në gjithë globin, rreth 105 mijë janë aktualisht në qarkullim në Gjermani. ‘Daimler’ ka pasur një seri problemesh me prodhimet e fundit.
Muajin e kaluar në SHBA, kjo kompani tha se do të tërheqë rreth 745 mijë automjete Mercedes-Benz të modeleve C, CLK, CLS dhe E-Class të shitura nga 2001 deri në 2011 për shkak të problemeve me panelin e sipërm që hapet.
Në Qershor, entet rregullatore gjermane urdhëruan tërheqjen e rreth 40 mijë Mercedes-Benzave të modelit GLK për shkak të problemeve me softuerët që kontrollojnë çlirimin e gazrave.
Ndërsa në Majin e kaluar, Mercedes-Benz tha se kishte në plan të tërhiqte më shumë se 571 mijë automjete nga Kina për problemet e shfaqura me amortizatorët.
Tv Klan