DASH: Shqipëria, sistem të dobët drejtësie
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për terrorizmin tha se kërcënimi i terrorizmit global po bëhet gjithnjë e më i decentralizuar me grupe si Shteti Islamik, që po përhapin tentakulat në rajone, përfshirë Azinë Juglindore, Kaukazin Verior në Rusi dhe Afrikën.
Sa i përket kapitullit të anti-terrorizmit për Shqipërinë, thuhet se vendi ishte një përkrahës i përpjekjeve kundër terrorizmit në vitin 2015 dhe vazhdoi pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të luftuar ISIS-in, duke dhuruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni për forcat Peshmerga në Irakun verior, raporton Zëri i Amerikës.
Përsa i takon legjislacionit, Shqipëria parashikon dënime për aktet e terrorizmit, financimin e terrorizmit, grumbullimin, tranferimin dhe fshehjen e fondeve që financojnë terrorizmin, transaksionet me personat në listën e sanksioneve të OKB-së, rekrutimin dhe stërvitjen e personave, për kryerjen e akteve terroriste dhe ngritjen, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Në raport thuhet se korrupsioni, i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdoi të pengojë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri./tvklan.al