Dasma kthehet në masakër, vdesin 18 të ftuar
Një dasmë në Nigeri është kthyer në një masakër pasi 18 të ftuar mbetën të vrarë. Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, pjesëmarrësit u sulmuan nga disa persona me armë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës. Autorët e kësaj ngjarje shkuan në vendin e ngjarjes me motorë dhe hapën zjarr duke lënë përveç viktima edhe 30 të lënduar.
“Autorët e armatosur vranë 18 persona në një dasmë dhe plagosën 30 të tjerë, shumica e tyre të rinj. 15 prej viktimave vdiqën në vend, ndërsa 3 të tjerë në spital”, tha Bege Katuka Ayuba, kreu administrativ i distriktit.
Nuk dihet se kush fshihet pas këtij sulmi, por bëhet e ditur se kjo zonë kohët e fundit ka qenë e përfshirë nga dhuna vdekjeprurëse mes barinjve myslimanë Fulani dhe fermerëve etnikë kristianë.
Zona e Kaduna-s, aty ku ndodhi ngjarja, është në përgjithësi e banuar nga njerëz të fesë kristiane. Prej kohësh aty ka pasur konflikte mes fermerëve dhe barinjve mbi të drejtat e kullotave dhe ujit.
Sa i përket ngjarjes së fundit, mësohet se disa fshatarë kanë humbur dhe forcat e sigurisë po i kërkojnë në zonë.
Një vit më parë qindra burra dhe djem të rinj u liruan nga një “shtëpi torturash” në një shkollë islamike ku mbaheshin të lidhur në zinxhirë, abuzoheshin seksualisht dhe kafshoheshin./tvklan.al