Data e zgjedhjeve, pas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses

Kuvendi i Kosovës

Data e zgjedhjeve, pas aktgjykimit të plotë të Kushtetueses

13:12 24/12/2020

Sapo palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës, do të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, tha ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Palët në këtë rast janë Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Osmani, për dy ditë me radhë, takoi përfaqësuesit e partive politike, të përfaqësuara në kuvend, me të cilët bisedoi për datën e zgjedhjeve.

Partitë kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Të mërkurën, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala kërkoi që data e zgjedhjeve të caktohet pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës.

“Në të gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ai shtoi se organet e partisë janë duke diskutuar lidhur me formën se si do të garojnë në zgjedhjet e reja.

“Qëndrimi i udhëheqjes së shumicës së Nismës është që Nisma të garojë e vetme në zgjedhje, por pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni edhe me ndonjë subjekt tjetër politik”, u shpreh Shala.

Osmani ka pritur në takim edhe përfaqësuesin e Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, i cili tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë “në mënyrë që edhe krizat e mundshme kushtetuese të evitohen”.

“Unë besoj se pas marrjes së aktgjykimit, besoj në dy ditët e ardhshme do të caktohet një datë në fund të janarit apo fillim të shkurtit”, tha Zyberaj.

Opsioni më i mundshëm për AKR-në, sipas Zyberajt, është që në zgjedhjet e ardhshme të garojë si pjesë e një koalicioni “me një nga partitë më të mëdha”.

Përfaqësuesit e partive joserbe, që bëjnë pjesë në koalicionin e quajtur Grupi 6+, pas takimit me Osmanin, thanë se janë të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të mbahen ato.

“Edhe ne jemi pajtuar dhe jemi darkorduar që kur të caktohet data e zgjedhjeve, jemi të gatshëm të garojmë, të hyjmë në garë”, tha Fikrim Damka dhe shtoi se ata nuk do të bëhen pjesë e koalicioneve parazgjedhore, pasi si komunitete joshumicë, i kanë të garantuara vendet në kuvend.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pas takimit konsultativ me Osmanin, tha se shpreson që me Lëvizjen Vetëvendosje të arrijë marrëveshje koalicioni parazgjedhor.

“Bashkëpunimin që e kemi filluar me Lëvizjen Vetëvendosje, besoj do ta padyshim do ta vazhdojmë edhe në zgjedhjet e radhës. Kësaj here, uroj në një marrëveshje zyrtare në mes të subjekteve jo të individëve, do të thotë jo unë si kandidate për deputete dhe një përfaqësues tjetër i Alternativës, por si subjekte politike, por të cilat e kanë synimin dhe qëllimin e përbashkët për ndryshime pozitive”, tha Kusari-Lila.

Të mërkurën, Osmani u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe./REL






Të ngjashme