De Biasi kthen Kaçen në Kombëtare
Gianni De Biasi preferoi ta publikonte në faqen e tij listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës. Për Luksenburgun dhe Izraelin do të jenë 23 futbollistë dhe mes tyre është edhe Ergys Kaçe.
Mesfushori i PAOK është grumbulluar pas 7 muajsh mungesë. Kaçe pati polemika me trajnerin për aktivizimin e pakët, por forma e treguar në ndeshjet e kampionatit grek javët e fundit duket se ka bindur De Biasin ta kthejë në grumbullim.
Në listë nuk janë Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi, të cilët kanë patur polemika me De Biasin. Nga kampionati shqiptar janë portierët Alban Hoxha e Orges Shehi dhe Liridon Latifi. Mungesa të rëndësishme janë Etrit Berisha e Ansi Agollit, të pezulluar dhe Bekim Balajt, të dëmtuar.
Gjithsesi sulmi nuk vuan nga lojtarë në formë. Armando Sadiku dhe Sokol Çikalleshi bindën në këtë fund sezoni me golat e tyre.
Kombëtarja do të përgatitet në Luksemburg ku do të luajë të dielën sfidën miqësore me përfaqësuesen vendase. Më pas skuadra do të shkojë në Turqi për t’u stërvitur për përballjen e kualifikuesëve të botërorit ndaj Izarelit, më 11 Qershor në Haifa.
Sipas mediave pas kësaj sfide Gianni De Biasi pritet të largohet nga drejtimi i Kombëtares. Ofertat për të janë nga Europa dhe Kina. Në Itali është përfolur vazhdimisht një largim i tij, veçanërisht pas finaleve të Euro 2016.
Tv Klan