De Biasi: Më vjen keq që nuk i marr të gjithë
Gianni De Biasi doli vetë në konferencën, një ditë para miqësores me Katarin. Gjatë të gjithë javës, në kampin e ngritur në Austri, grupi i lojtarëve është stërvitur duke marrë ngarkesën e duhur fizike dhe duke parë në fushë skema mbrojtëse dhe sulmuese.
Gianni De Biasi – Trajner i Kombëtares:
“Lojtarët po bëjnë një punë të mirë. Kemi personalizuar stërvitjen e çdo lojtari dhe në fund të çdo dite shikojmë rezultatet e punës nga të gjithë. Ndaj Katarit është ndeshja e parë që bëjmë pas 2 muajsh dhe jemi kuriozë për gjendjen e futbolistëve, pasi është një test që më ndihmon. Më vjen keq për diçka, pasi të gjithë e meritojnë të vijnë në Francë me atë që kanë treguar në këto ditë përgatitjesh”.
Në përfudim të muajit, Gianni De Biasi do të reduktojë numrin e lojtarëve nga 27 në 23. Pas Katarit do të jetë një tjetër miqësore, më 3 Qershor me Ukrainën, në Bergamo, një kundërshtar më i fortë, ku mund të shikohet më qartë gjendja e skuadrës. De Biasi iu përgjigj edhe fjalëve për një largim të mundshëm të tij në fund të Europianit.
Gianni De Biasi – Trajner i Kombëtares:
“Janë fjalë kafeneshë dhe gazetash dhe nuk më interesojnë. Mua më intereson që të jem në fushë me ekipin dhe që t’i motivoj lojtarët, që të japin më të mirën, që të na çojë drejt suksesit”.
Gianni De Biasi pranoi se i njeh të gjithë rivalët dhe në dallim nga të tjerët e quan Rumaninë një kundërshtar më të vështirë se sa thuhet.
Tv Klan