De Biasi mendon për ndeshjen me Italinë
Pavarësisht se duhet edhe 1 muaj e gjysmë për të luajtur ndaj Italisë, mendja e Gianni De Biasi punon për këtë takim. Një sfidë krenarie me vendin e tij të lindjes, por kësaj here kërkon të jetë fitues. Megjithatë De Biasi përballet me probleme me mbrojtjen.
Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares:
Të gjitha ndeshjet luhen për 3 pikë. Me Italinë e dimë që nuk do të jetë e lehtë pasi kanë një ekip me përvojë dhe cilësi. Duhet të përgatitemi mirë dhe të kemi lojtarët që luajnë më shumë. Ajeti apo Veseli nuk po luajnë rregullisht dhe kjo është shqetësuese. Mendoj se duhet të rigjejmë shkëlqimin e kualifikuesve të Europianit.
Në takimin e radhës nuk do të jetë Gjimshiti për shkak kartonësh. Mungesë e konfrimuar është edhe ajo e portierit Berisha edhe ai i pezulluar. Në përballjen e 24 marsit në Palermo do të ketë si ndihmës Marco Veronese, i cili zëvendësoi Paolo Tramezzani.
Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares:
Ai po punon për ne duke parë lojtarë të rinj dhe po e përgatisim bashkë këtë ndeshje dhe të bëjmë ndoshta gjëra të tjera për të patur rezultate më të mira.
Ndeshja me Italinë do të mbyllë xhiron e parë të kualifikueseve të Botërorit 2018 dhe cilësohet si e rëndësishme për ecurinë drejt fazës finale./ TV KLAN