De Biasi përgatit formacionin për Maqedoninë
Gianni De Biasi pati mbrëmë grupin e plotë të lojtarëve, pasi mbërritën edhe Thoma Strakosha dhe Rei Manaj, të cilët luajtën takimin me 21 – vjeçarët e Greqisë.
Trajneri po punon për detajet e fundit para takimit të nesërm me Maqedoninë në Shkodër. Seanca u përqendrua në anën taktike dhe me siguri mund të thuhet se në portë do të jetë Berisha nga minuta e parë dhe në mbrojtje Hysaj, Gjimshiti, Mavraj dhe Agolli.
Në dilemë është mesfusha, ku kandidatët janë më të shumtë. Shqipëria në sfidën e parë në grupin kualifikues të Botërorit 2018 pritet të luajë në sulm, për të kërkuar fitoren. Kuqezinjtë mendohet të jenë në fushë edhe me dy sulmues, një skemë që u pa edhe në takimin miqësor me Marokun.
Në miqësoren e pak ditëve më parë pati edhe ndryshime të reshtimit, ku Gianni De Biasi pa se si mund të ishte loja në situata të tjera. Kjo do të jetë sfida e parë zyrtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Takimi do të gjykohet nga turku Huseyin Gocek, i cili ishte kryesori në miqësoren e para 6 viteve në Korçë mes dy ekipeve. Kombëtarja pritet të mbështet nesër nga tifozë të shumtë që do të mbushin stadiumin “Loro Boriçi”.
Tv Klan