Debate në grupin e PD pas humbjes në Dibër. Deputetët: Humbëm për gabimet tona


Debate në grupin e PD pas humbjes në Dibër. Deputetët: Humbëm për gabimet tona

15:37 14/09/2016

Humbja e thellë e kandidatit të Partisë Demokratike në Dibër është bërë objekt debatesh të forta në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar demokrat pas zgjedhjeve.

Një pjesë e deputetëve kanë patur kritika të forta për mënyrën se si Partia Demokratike u prezantua në Dibër. Burime nga mbledhja e demokratëve thanë për Televizionin Klan se ka qenë deputeti Eduard Selami, ai që ka hapur siparin e kritikave. Duke iu drejtuar kryetarit Lulzim Basha, ai është shprehur se humbja erdhi nga gabimet e demokratëve.

Selami tha se kandidati nuk u zgjodh nga Këshilli Kombëtar, ndaj kërkoi mbledhjen e këtij forumi dhe bërjen e një analize të thellë për humbjen. Ai kërkoi llogari edhe për faktin se në fushatë u bënë sërish aleatë ata që kanë qenë kundër Partisë Demokratike.

Deputeti Arben Imami u shpreh se ai nuk mori pjesë në fushatën e Dibrës pasi ishte i bindur se nuk po veprohej drejtë. Kritika për organizimin shfaqi edhe Roland Keta, i cili kërkoi largimin nga detyra të sekretarit organizativ, Eno Bozdo.

Majlinda Bregu pyeti se si është e mundur që me gjithë atë përqendrim të opozitës, Partia Demokratike nuk shtoi asnjë votë. “Ky është fatalizëm dhe jo shpresë”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Kryetari Basha ka kërkuar që të bëhet një analizë e thellë dhe e ftohtë, ndërsa ka shfaqur pakënaqësi që debatet e grupit me dyer të mbyllura përfundojnë ne media.

Për rezultatin e zgjedhjeve në Dibër, Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se i bleu votat me paratë e krimit, me kërcënime për largime nga puna apo me presione të strukturave shtetërore, përfshirë edhe policinë./ TV KLAN






Të ngjashme