Debate në Këshillin Politik për deklaratat e Ramës
Gjiknuri: Nuk iket nga tryeza; Bylykbashi: Nuk tërhiqemi nga kërkesat tona
Nisi me debate të forta për të përfunduar me një dakordësi mes palëve tryeza e Këshillit Politik të Reformës Elektorale.
Një mbledhje që zgjati për afro tre orë e që çoi në tërheqjen e mazhorancës nga deklarata e bërë nga Kryeministri Rama, i cili u shpreh për depolitizim të plotë të administratës zgjedhore dhe përbërjen e kolegjit nga gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e Vettingut.
Damian Gjiknuri: Nuk duhet të përdoren deklaratat politike për të ikur nga tryeza. Negociatorët nuk kanë pse të jenë në trysninë e çdo deklarimi politik. Përkundrazi, nisur nga parimet të rëndësishme që i ka thënë edhe Kryeministri edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, ne të mundohemi të gjejmë zgjidhje që akomodojnë interesat.
Për opozitën prishja e marrëveshjes së Janarit minon procesin dhe çon drejt një reforme jo konsensuale. Ndaj dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet nga propozimet e saj që tashmë ndodhen në duart e ekspertëve.
Oerd Bylykbashi: Ne nuk tërhiqemi nga ato. Nuk mundet Rama që të marrë në xhepin e tij administratën zgjedhore duke emëruar militantë politik të veshur si të pavarur dhe po ashtu nuk do të ketë mundësi që të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që kryhen me administratën e kapur politikisht.
Në një pikë, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Elektorale, socialisti Damian Gjiknuri mendon si Kryeministri, që për shumë çështje që tejkalojnë vullnetin e këshillit, zgjidhja mund të vijë nga një tryezë dialogu Rama-Basha. Por kjo çështje vështirë se mund të pranohet nga opozita.
Damian Gjiknuri: E ka thënë Rama po e them unë, nëse për çështje shumë serioze kërkohet vendim final jam i gatshëm të ulem me Bashën në tavolinë negociatash në çdo moment që ai e konsideron të arsyeshme, komunikimi është prerë në disa nivele”.
Oerd Bylykbashi: Nuk do të ketë mundësi të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që kryen me administratën e kapur politikisht.
Sistemi zgjedhor, i kërkuar me forcë nga opozita parlamentare, ishte një tjetër çështje që pritet të hapë një tjetër debat në tryezë. Teksa Gjiknuri e Bylykbashi u shprehën të hapur, pas mbledhjes bashkëkryetarja Rudina Hajdari u shfaq jo pak e revoltuar, duke akuzuar palët për pakt.
“Unë këtë betejë do ta çoj deri në fund”.
Palët ranë dakord që të mblidhen të hënën për të vijuar me punën për çështjet me qëllim që sikundër u angazhuan të përmbyllin brenda 31 Majit reformën elektorale.
Tv Klan