Debatët në Partinë Socialiste (13 Shtator 1999)
Socialistët tashmë me seli të rikonstruktuar nisin zyrtarisht pasnesër konferencat e partisë në rrethe nga ku do të dalin edhe delegatët për Kongresin e 3-të të kësaj partie. Vazhdojnë debatet rreth ndryshimeve në statut dhe propozimeve të ish kryetarit Nano për përmirësimin e tij. Po diskutohet mbi sanksionimin e raporteve kryetar, kryesi, komiteti i përgjithshem drejtues dhe krijimin e komisionit të garantve, kryefinancierin e partisë dhe propozime të tjera.
Arben Malaj: E para duhet thënë që propozimet që u bënë ndoqën rrugën e statutit, ju prezantuan komisionit i cili besoj që këtë javë duhet t’i shqyrtojë një nga një, u bënë prezent në media për tu patur parasysh dhe në konferencat e rretheve. Ndërsa atë që unë do ta quaja amorale në këtë fushatë që bën PS ishin komentet e “Zërit të Popullit” i cili duke qënë organ i partisë detyrohej vetëm t’i publikonte dhe jo t’i bënte komente siç bëri sapo u botuan këto propozime për ndryshimet në statut.
Përsa i përket propozimeve të ish kryetarit Nano, kundërshtarët e tij nuk mbështesin idenë që deputetët socialistë të kenë të drejtë vote në mbledhjet e KPD-së, ndërsa ka gjetur mirëkuptim propozimi i ndarjes mes funksioneve partiake dhe atyre qeveritare. Ky propozim siguron edhe oponencën mes funksioneve të partisë dhe drejtuesve të ekzekutivit. Janë publikuar dhe datat e konferencave në rrethe dhe të deleguarit e qendrës./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame