Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek
Kurset e gjuhës shqipe do të zhvillohen të dielën e 11 shkurtit në gjimnazin e Krisopigjisë njoftuan me një deklaratë të përbashkët, Shoqata e Mësuesve të Shkollave Fillore dhe Sindikata e Mësuesve në qytetin Hania, në ishullin grek të Kretës. Sipas burimeve vendore dy sindikatat i ftuan banorët grekë të qytezës bregdetare të Hanias në ceremoninë e pritjes së fëmijëve shqiptarë të dielën. Përmes një deklarate të përbashkët, shoqatat e mësuesve në Hania besojnë se “anulimi i kurseve të gjuhës shqipe ishte një turp”. Deklarata vlerëson se “origjina e këtyre fëmijëve ishte kriteri i vetëm për pretendimet për bllokimin e mësimit të gjuhës amëtare dhe për këtë arsye përbën një akt racist dhe fashist”.
“Migrantët e brezit të dytë dhe të tretë nga Shqipëria janë studentët tanë. Ata janë fëmijët tanë. Ne nuk do të lejojmë asnjë kriminel për të festuar përjashtimin e këtyre fëmijëve nga e drejta e tyre për të mësuar gjuhën e tyre amëtare”,
thuhet në deklaratën e përbashkët të sindikatave në qytezën greke të Hanias.
Sindikatat e mësuesve grekë vlerësojnë se
“luftojnë për një shkollë ku të gjithë fëmijët, pavarësisht nga origjina, raca, seksi, klasa, aftësitë e tyre fizike të kenë të njëjtin akses në shkollim. Diskriminimi është një kujtim i keq i së kaluarës dhe nuk do të lejojmë që ai të rikthehet”
, thuhet në deklaratë. Më tej sindikatat e arsimit pohojnë se fashizmi, racizmi dhe nacionalizmi kanë çuar në qindra miliona njerëz të vdekur.
“Është detyra jonë si punonjës, edukatorë, prindër që të mos lejojmë që fantazmat e së kaluarës të ngrenë kokën në çfarëdo forme që shfaqen. Nuk do t’i lejojmë pakicat e vogla të importojnë helmin e tyre në shkollat tona”
, vlerëson deklarata e mësueve grekë.
Dy sindikatat kanë vlerësuar se në bashkëpunim me bashkësinë shqiptare do të punojnë për realizimin e kurseve të gjuhës shqipe. Sindikatat kanë mirëpritur vendimet unanime të Këshillit Komunal të Hanias për rifillimin e menjëhershëm të klasave në gjuhën shqipe.
Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek
Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Hanias në ishullin turistik të Kretës tha dy javë më parë se ishte shtyrë fillimi i kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Burimet greke thanë se të premten e 26 janarit drejtori i gjimnazit ku pritej të niste mësimi i shqipes në Hania dha dorëheqjen. Disa nga mediat greke e vlerësuan ngarjen si
“shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie në një shkollë në Hania në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë përpjekjet për të përmirësuar marëdhëniet dypalëshe”
. Grupe të rinjsh grekë bllokuan njëj javë më vonë, më 3 shkurt mësimin e gjuhës shqipe edhe në një shkollë në Paliohora qytezë fqinje po në ishullin grek të Kretës, ndërkohë që kursi i parë ishte zhvilluar normalisht për 38 fëmijë shqiptarë.
Burime nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në këtë zonë i thanë Zërit të Amerikës se kurset e planifikuara të gjuhës shqipe për t`u zhvilluar në shkollën e mesme në këtë qytet u shtynë nga presioni i njerëzve që ishin mbledhur para rrethimit të shkollës. Portalet greke vendore publikuan foto ku në hyrje të godinës qëndronte një grumbull të rinjsh dhe në portën e shkollës ishin vendosur flamuj grekë. Raportimet e medias lokale greke pohuan se situata ishte tensionuar pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një foto e një nxënësi shqiptar me bluzën ku ishte stampuar harta e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimi: ‘Autoktonus’. Foto i përkiste ceremonisë së fillimit të kurseve të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që banojnë në këtë zonë./VOA