Debati Gonxhe – Sharku për fondet e Estradës – (18 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Një debat është zhvilluar sot, gjatë konferencës për shtyp midis nënkryetarit të bashkisë Blendi Gonxhe dhe ish-drejtorit të Estradës, Genci Sharku. Një vit më parë nga Bashkia e Tiranës, u akorduan rreth 15 milion lekë të reja, për restaurimin e ambienteve të amortizuara prej 50 vjetësh të Estradës. Këto fonde u shfrytëzuan vetëm në vendosjen e parketit të skenës dhe ngritjen e disa kolonave prej betoni, ndërsa salla mbeti në këtë gjendje të mjeruar.
Blendi Gonxhe:- “Sapo janë investuar rreth 170 milion lekë dhe në qoftë se do të bënim një krahasim me investimet që janë bërë në institucione të tjera, si psh. TOB, ku janë investuar rreth 150 milion lekë, si këtu, besoj që ju i nxirrni vetë konkluzionet. Investimi është bërë në skenën e re të Estradës, por fatkeqësisht punimet kanë mbaruar tashmë dhe fondi është harxhuar dhe ka ardhur deri këtu”.
Rreth 500 metra katror sipërfaqe, që më parë shfrytëzoheshin si ambiente argëtimi, tani duken si han. Një akt-kontrolli për investimet e këtushme ka mbërritur pranë bashkisë nga ku më pas do të merren masa për shpërdorimin e fondit. Ky degradim që ka çuar në shkatërrim këtë vend argëtimi, zanafillën e ka vite më parë. Kafja që i ka zënë frymën Estradës është marrë me qira për 25 vite me letra me vlerë./tvklan.al