Debati për përgjimet, krerët e disa institucioneve do të dëshmojnë në Komisionin e Sigurisë
Egzistenca e pajisjes së përgjimit në Policinë e Shtetit ka përfshirë sërish në debate Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Nënkryetari i Komisionit, Flamur Noka dha disa detaje mbi këtë pajisje, duke thënë se ajo arrin të përgjojë edhe celularët e fikur.
Për të hedhur dritë mbi këtë çështje komisioni vendosi që të kontaktojë me Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë, Drejtorinë e Policisë dhe Shërbimin Informativ për të thirrur në seancë dëgjimore titullarët. Por përfaqësuesit e mazhorancës thanë se se duhet bërë kujdes të mos ndërhyhet në hetimin e ngritur nga prokuroria.
Një ditë më parë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani reagoi me tone të ashpra, duke thënë se ekzistenca e kësaj pajisje është e konfirmuar nga institucionet dhe se me përdorimin e saj është cënuar rëndë siguria kombëtare. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pranoi ekzistencën e saj, por tha se ajo është përdorur për trajnime dhe jo për përgjime.
Tv Klan