Debati për shtatoret e Skënderbeut dhe Adem Jasharit
Skulptori Sinan Alija: U bazova te kronistët turq
Më 28 nëntor, në ditën e flamurit, ishin mbledhur përfaqësues institucional e qytetarë të shumtë në përurime të ndara të dy shtatoreve në Prizren, asaj të Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Por gëzimi e festa nuk zgjati shumë, pasi pasuan menjëherë kritikat ndaj realizimit të këtyre dy veprave artistike. Sipas kritikëve të dyja këto vepra nuk përkojnë me heronjtë tanë. Skulptori Sinan Alija tha të jetë frymëzuar nga burime të tjera të arsyeshme dhe ka konsideruar se kështu duhet të duket Skënderbeu.
“Në bazë të përshkrimit të kronistëve turq, mbi këtë e kam ndërtuar fizionominë përafërsisht si mund të ketë qenë Skënderbeu. Këto klishetë Odiesa Paskali e këto gjëra nuk i kam dashur, unë vet jam skulptor mirëpo është vullneti i secilit si kanë dashur të trajtojnë Skënderbeun”.
Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka nëpërmjet një statusi në Facebook ka bërë të ditur se do të themelojnë një komision i cili do të jap një raport këshillues se si duhet të veprohet me shtatoren e Skënderbeut. Ka thënë se të dy shtatoret tashmë kanë zënë vend në Prizren dhe aty do të qëndrojnë përgjithmonë pavarësisht nëse forma e paraqitjes do të mund t’i nënshtrohet përmirësimeve.
Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një konference për media ka kërkuar rimodelimin e shtatores së Skënderbeut dhe pastaj të vendoset në një lokacion tjetër.
“Duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te lokacioni ku e kanë vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin tonë kombëtar”.
Shtatorja e Skënderbeut është financuar nga shoqata e diasporës “Trojet e Arbrit”, ndërsa ajo e Adem Jasharit është vendosur brenda një qendre tregtare nga e cila dhe është realizuar me miratimin e përfaqësuesve të familjes Jashari. Drejtues të kësaj qendre tregtare bashkë me familjen Jashari kanë vendosur që ta largojnë shtatoren e Adem Jasharit për përmirësim për t’u thyer sërish në këtë qendër. Ndërsa për atë të Skënderbeut pritet të vendos komisioni i iniciuar nga kryetari i komunës së Prizrenit.
Tv Klan