Degjeneron futbolli


Degjeneron futbolli

22:34 07/05/2016

Futbolli shqiptar shfaqi edhe njëherë anën e tij më të errët. Dhunën në shkallët e stadiumeve dhe fushën e lojës.

Këto pamje i takojnë takimit Pogradeci – Luftëtari, i vlefshëm për javën e parafundit të Kategorisë së Parë.

Sfida ishte vendimtare për ngjitjen në Superligë të dy ekipeve. Barazimi i gjirokastritëve solli reagimin e tifozëve vendas.

Pak sekonda pas përfundimit, treshja e gjyqtarëve iu drejtua dhomave të zhveshjes nën shoqërinë e forcave speciale.

Më pas gjithçka degradoi në një përleshje masive.

Në fushë u panë edhe civilë, që u përfshinë në sherrin mes futbollistëve. Një lojtar i Luftëtarit përpiqet t’i shpëtojë ndjekjes nga një futbollist i Pogradecit dhe tifozë të skuadrës vendase.

Pak metra më tutje, futbollistë dhe zyrtarë të dy klubeve shkëmbëjnë grushta e shkelma, ndërsa portieri i skuadrës mike tërhiqet zvarrë.

Në pamje duket trajneri i Luftëtarit teksa i bën thirrje policisë të ndërhyjë. Ishin forcat e rendit, që shoqëruan më pas ekipin gjirokastrit në daljen nga stadiumi.

E njëjta situatë edhe në Peshkopi, ku tifozët goditën lojtarët dhe stafin e Kastriotit. Edhe në këtë takim po luhej për një vend në Superligë.

Në drejtim të futbollistëve janë lëshuar sende të forta duke i rrezikuar seriozisht ata.

Ekipi i Kastriotit u largua nga stadiumi vetëm me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pritet që këto ngjarje të shqyrtohen nga Komisioni i Disiplinës.

Dhuna në Kategorinë e Parë vjen vetëm pak ditë pas tensionit në derbin Tirana – Partizani, ku zyrtarë të klubit bardhë e blu u përfshinë në incidente me drejtues dhe tifozë të Partizanit.

Tv Klan






Të ngjashme