15 policë dhe 3 protestues të plagosur
Kjo punonjëse e policisë u plagos kur një prej kapsollave që protestuesit e Unazës së Re hodhën në drejtim të forcave të rendit para parlamentit, i shpërtheu në dorë.
Ajo humbi dy gishtat e vegjël të të dyja duarve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, siç duket edhe në këtë video të postuar nga kryeministri Edi Rama nga ambientet e brendshme të spitalit.
Kreu i qeverisë thotë se i komunikoi vetë punonjës së plagosur dërgimin të premten drejt Stambollit për një operacion të gjatë e të vështirë deri sa ajo të rimarrë kontrollin e plotë mbi duart.
Protesta degjeneroi në dhunë pak kohë pas grumbullimit të banorëve para parlamentit, teksa në sallë diskutohej buxheti i vitit 2019.
Disa herë protestuesit u përleshën me policinë duke tentuar të çajnë me forcë gardhin e krijuar prej tyre.
15 punonjës të policisë mbetën të plagosur, dy në gjendje më të rëndë. Efektivët e lënduar u dërguan me autoambulancë në spitalin e traumës në kryeqytet. Të plagosur mbetën edhe 3 protestues.
Banorët u mbështetën edhe nga deputetët të partisë demokratike.
Policia njoftoi se 11 protestues u arrestuan të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje, goditje për shkak të detyrës, protestë të paligjshme dhe prishje të rendit.
Njëri prej protestuesve u ndalua në ambientet e Spitalit të Traumës.
Policët e plagosur u vizituan në spital nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i brendshëm, Sandër Leshi. Në dalje nga qendra e Traumës kreu i qeverise u ndesh me irritimin e disa prej banorëve të Unazës që tentuan të ndërpresin prononcimin për shtyp, duke lëshuan sende drejt tij.
Por kryeministri u tregua edhe një herë i prerë për këdo që ngre dorë kundër policisë së shtetit.
Pak minuta më vonë Lulzim Basha iu bashkua protestës së banorëve të Astirit në segmentin e unazës ku sërish nuk mungoi tensioni.
Basha tha se fajtor i vetëm për këtë që po ndodh është kryeministri.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për protestën para parlamentit. Një grup i posaçëm ka mbledhur prova në vendin e ngjarjes ndërsa ka marrë edhe dëshmitë e policëve dhe personave të lënduar.
Tv Klan