Deklarata surprizë e Presidentit amerikan


Deklarata surprizë e Presidentit amerikan

15:25 30/11/2016

Me një deklaratë surprizë, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do të heqë dorë nga të gjitha bizneset e tij për të qene president i vendit. Vetëm pak ditë më parë ai këmbëngulte se të qenit sipërmarrës ndërkohë që ndodhej në Shtëpinë e Bardhë nuk përbënte konflikt interesi dhe as nuk e pengonte në detyrën e re.

Donald Trump do të heqë dorë nga të gjitha aktivitet e tija ekonomike dhe bizneset për t’iu dedikuar me kohë të plotë presidencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për ta bërë vendin sërish të madh. Deklarata është bërë nga vetë ai me anë të një mesazhi në Twitter ku saktëson se nuk ishte i detyruar ta bënte.

Ndërkohë që Steven Mnuchin, drejtori financiar i fushatës elektorale të Trump, konfirmoi se është zgjedhur për të qenë në krye të Departamentit amerikan të thesarit. E ndërsa administrata e re amerikane plotësohet me emrat që do të mbajnë postet kyçe në mandatin e tij 4-vjeçar, Tramp duket se do të vendosë paqen në radhët e republikanëve. Në kuadër të kësaj mediat amerikane raportuan për një darkë pune mes tij dhe Mit Romney një ditë më parë.

Presidenti i zgjedhur ndër të tjera shkruan se në 15 dhjetor do të organizojë një konferencë për shtyp në Nju Jork, ku do të jenë të pranishëm dhe fëmijët e tij. Kjo për të diskutuar se si të gjitha sipërmarrjet e tij do të kalojnë në duart e tyre, në mënyrë që Trump t’i përkushtohet totalisht qeverisjes së vendit.

Duke ritheksuar dhe njëherë më shumë se nuk është i detyruar nga ligji për të hequr dorë nga drejtimi i bizneseve të tij, Trump shkruan se është shumë e rëndësishme të mos ekzistojnë konflikte interesi. Në këtë mënyrë po kryhet e gjithë procedura ligjore për të përjashtuar presidentin e ri amerikan nga drejtimi i këtyre sipërmarrjeve. Kjo sepse sipas Trump: presidenca është një detyrë shumë më e rëndësishme. /tvklan.al






Të ngjashme