Deklaratat e Athinës zyrtare, MPJ: Të papranueshme. Thërret për sqarim ambasadoren greke
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke, cila kërcënoi me bllokim në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE. Shkak për këtë të fundit u bë vendimi për prishjen e 19 banesave të familjeve minoritare në Himarë.
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme thotë se tonet kërcënuese nuk mund të mirëkuptohen në Europën e ditëve të sotme dhe thekson se Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
“Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm. Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës. Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”,
thuhet në deklaratë.
Më tej, Ministria shprehet se këto deklarata të përsëritura nga pala greke janë të papranueshme.
“Deklaratat e përseritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar”.
Bazuar në sa më sipër e në pajtim me praktikat diplomatike,
thuhet më tej në deklaratë,
Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqisë në Tiranë duke shprehur qëndrimin e mësipërm
.
Për këtë çështje reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili postoi një gravurë të vjetër të Athinës së viteve 1670 për të thënë se ndonëse referencat flasin për një qytet shqipfolës, nuk e bëjnë atë absolutisht një qytet shqiptar, ashtu si edhe Himara që përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke.
Sipas kreut të qeverisë popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të njihet thjesht e vetëm si shqiptare. /tvklan.al