Deklaratat e Bashës, Rama: Ftesa për ta është e hapur, lufta e vjetër politike s’është më puna jonë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha këtë të martë. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se mandati i tretë i socialistëve nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit e zgjedhjeve. Rama thotë se Partia Demokratike mund të merret me qeverinë, por qeveria do të merret me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Edhe në këtë postim, kreu i ekzekutivit ripërsërit ftesën për bashkëpunim me Partinë Demokratike.
“Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur! Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë”, shkruan Rama.
Më herët në një prononcim për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha tha se zgjedhjet e 25 Prillit kanë qenë një masakër elektorale dhe përgjegjës bëri kryeministrin Edi Rama. Basha tha se opozita po mbledh fakte dhe prova që të vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve ndërsa shtoi se “beteja do të bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë”./tvklan.al
Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët!Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!
— Edi Rama (@ediramaal) May 4, 2021