Del ekspertiza, si ndodhi aksidenti dhe kush është fajtori
Fajtor për vdekjen e taksistit dhe një vajze në aksidentin në Maminas është Fatjon Zhaporja, drejtuesi i Benz-it. Ai po udhëtonte me 150 km në orë, në të njëjten korsi me taksinë, që ishte me 80 km në orë.
Akti i ekspertimit autoteknik, tashmë është në duart e organit të akuzës. Ekspertët të aksidenteve në Durrës kanë nxjerrë si përgjegjës të aksidentit që i mori jetën Eleni Abdillarit, 23 vjeç dhe taksistit Bujar Agalliu, 60 vjeç, drejtuesin e automjeti benz Fatjon Zhaporja.
Referuar dinamikës së ngjarjes, ata shprehen se taksia e drejtuar nga Bujar Agalliu po lëvizte në korsinë e shpejtësisë me rreth 80 km në orë, ndërsa makina tjetër me shpejtësi me mbi 150/ km. Sipas aktit, drejtuesi i mjetit Benz i ka kërkuar të hapë krahun dhe pikërisht në atë moment taksia u godit në pjesën e majtë të prapakolpit. Si pasojë taksia doli nga rruga në gjendje të lirë duke ecur më shumë se 50 metra.
Marmita e taksisë ka prekur në trotuar, duke bërë disa rrotullime për t’u përplasur më pas me reklamën e karburantit. Përplasja ka qenë aq e fortë sa i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme vajzës dhe drejtuesit të taksisë. Kurse mjeti benz u gjet disa metra më larg. Në sediljen e shoferit kishte njolla gjaku ç’ka tregon që edhe drejtuesi i benzit është dëmtuar.
Por, krahas vlerësimit të ekspertëve do të jetë prokuroria ajo që pritet të vlerësojë më tej situatën.
Për ta mbetet ende e paqartë se pse drejtuesi i mjetit benz e ka braktisur atë, duke ngritur dyshime për një goditje të qëllimshme. Për organin e akuzës ngjarja pritet të zbardhet vetëm me arrestimin e drejtuesit, i cili që prej së enjtes është shpallur në kërkim. Dëshmitë e familjarëve të personave të përfshirë në aksident nuk kanë qenë ndihmuese, pasi të gjitha palët kanë pohuar se personat nuk kishin njohje me njëri – tjetrin.
Po kështu, uniformat blu kanë kanë sekuestruar të gjithë kartelat e klinikave private dhe qendrave shëndetësore shtetërore, pasi ka dyshime që Zhaporja mund të jetë mjekuar e më pas të jetë larguar përsëri. Kjo tezë nuk është vërtetuar ende nga grupi hetimor, duke krijuar dyshimet se autori që shkaktoi aksidentin me dy të vdekur mund të mjekohet në një banesë private./abcnews.al