Del raporti për lëkundjet e tokës në Zharrës


Del raporti për lëkundjet e tokës në Zharrës

19:50 08/02/2017

Grupi i Punës i ngritur me urdhër të Kryeministrit, për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në fshati Zharrëz dhe caktimin e masave që duhet të merren për shtëpitë e dëmtuara vendosi që, përmes Ministrisë së Energjisë t’i kërkojë kompanisë Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëz dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin.

Po ashtu, kompanisë i kërkohet të merren masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin.

Në raport thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Prefektin e Qarkut dhe Bashkinë Patos duhet të marrin masa të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda. Kjo deri sa të konkludohet me pranim nga të dy palët, qeveria dhe Bankers, përgjegjësia për shkaktimin e lëkundjeve sizmike, ose të disponohet një vendim i formës së prerë nga një palë e tretë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes apo nga arbitrazhi për këtë çështje.

Raporti vjen pak ditë pasi Banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë rifilluar sërish grevën e urisë kundër kompanisë që kërkon e prodhon naftë në zonën e Patoz Marinzës, Bankers Petrolium.

Tv Klan






Të ngjashme