Delegacioni i BE-së, pakti i stabilitetit – (27 Janar 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Shqipëria nuk duhet të kthehet në situatën e ’96, ku për shkak të ndikimeve politike nuk u realizua marrëveshja me Bashkimin Europian. Kështu ka deklaruar sot përpara gazetarëve, kryetari i delegacionit të BE-së, Sabathil. Në përfundim të monitorimit të ecurisë ekonomike dhe reformave në shqipëri, ky delegacion ka dhënë edhe konkluzionet e arritura gjatë vizitës disa ditore. Ka progres në disa fusha theksoi Sabathil, siç ka disa të tjera që kanë ecur ngadalë. Sipas tij ka probleme tek ligji me policinë, zonat e tregëtisë së lirë dhe zgjerimi i marrëdhënieve brenda administratës. Këto duhen realizuar për të filluar negociatat e asocimit të Shqipërisë në BE.
Kreu i BE-së duke veçuar paktin e stabilitetit si faktorë tepër të rëndësishëm, u shpreh se po presim raportet e qeverisë shqiptare. Ndërsa zv/ministri i Jashtëm Shqiptarë Ben Blushi, e ka cilësuar misionin e këtij delegacioni si hapjen e një viti shum të rëndësishëm në kuadrin e raporteve të shqipërisë me BE.
Ben Blushi:- “Aktualisht jemi duke punuar në bazë të këtyre rekomandimeve dhe brenda muajit shkurt do përgatitet një status raport, pra një raport i gjendjes të reformës shqiptare në tre drejtime. Në drejtimin e sigurisë në vend, në drejtim të masave për stabilizum makro-ekonomikë të vendit dhe në drejtim të administratës publike. Pra në vjeshtë do të marrim mandatin për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit”.
Delegacioni i ekspertëve te BE-së ka takuar sot edhe ministrin e Jashtëm Paskal Milo. Ata kanë diskutuar për çështje teknike kryesisht në kuadër të politikës së jashtme shqiptare për fillimin e negociatave./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego