Dëmshpërblimet për fatkeqësitë natyrore, përfituan 594 familje në Tiranë
594 familje të Qarkut të Tiranës morën dëmshpërblimet nga përmbytjet, rrëshqitjet dhe djegiet e banesave .I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se qeveria dhe pushteti vendor do të marrë masa për shmangien e fatkeqësive natyrore që vijnë si pasoje e mungesës së investimeve.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri:
Ne sot e nisim me dëmshpërblimet dhe vitin tjetër vazhdojmë me investime konkrete në mënyrë që të shmangim një herë e mirë përmbytjet dhe përmbytjet për ju të jenë një histori e harruar. Do kemi shumë probleme për të zgjidhur bashkë por jo përmbytjet.
Ndërsa më herët, gjatë paradites së të martës ministri Tahiri së bashku më Krerët e Policisë së Shtetit ndër vite u mblodhën në një ceremoni të veçantë në Ministrinë e Brendshme, dhe përkujtuan të gjithë ish- krerët e policisë të cilët nuk jetojnë më si dhe të gjithë efektivët e rënë në krye të detyrës.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri:
Ky ishte një rast për mua dhe për të gjithë ne, për të gjithë punonjësit e Policisë sot, për të nderuar kontributin e të gjithë atyre që kanë drejtuar apo punuar në Policinë e Shtetit në të gjithë këto vite. Pra plejadën e nderuar të të gjithë atyre që kanë sakrifikuar, punuar me vetëmohim për të bërë Shqipërinë që sot ne jetojmë.
Në ceremoni ishte edhe ish- kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe ish- drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit./ TV KLAN