Dënimi i Skënderbeut nga UEFA, Shulku: Dosja do shqyrtohet nga Komisioni i Etikës


Dënimi i Skënderbeut nga UEFA, Shulku: Dosja do shqyrtohet nga Komisioni i Etikës

12:00 07/07/2016

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të shqyrtojë çështjen e dënimit të Skënderbeut nga Komisionet e UEFA-s. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku pranoi se presin dosjen për t’ia kaluar më pas Komisionit të Etikës. Një procedurë e tillë i hap rrugën penaliteteve të mundshme për Skënderbun.

Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së:  Ne i kemi kërkuar UEFA-s që të na sjellë materlian për të cilin Skënderbeu u dënua dhe më pas, kjo çështje do t’i dorëzohet Komisionit të Etikës. Deri në atë momente, Skënderbeu është Kampion i Shqipërisë.

Skënderbeu u dënua nga UEFA për trukim ndeshjesh dhe për këtë u përjashtua me 1 sezon nga kupat e Europës. Drejtuesit e korçarëve kanë pretenduar gjithmonë se janë të pafajshëm, por ankimimi i tyre nuk u pranua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë.

UEFA më pas vendosi të kalojë Partizanin në Champions League. Në të njëjtën konferencë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tha se nisja e Superligës më 7 shtator u vendos pas konsultave me trajnerin e Kombëtares Gianni De Biasi.

Ai do të ketë më shumë kohë për të përgatitur ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës 2018 me Maqedoninë. /TV KLAN






Të ngjashme