104 vite burg për bandën që grabiti blindat me para
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 104 vite burg 8 të akuzuarit për grabitjen e parave të tre bankave. Ata ishin pjesë e një grupi strukturuar kriminal që drejtohej nga Admir Murataj, i cili është në kërkim. Vendimi ndaj tij nuk është marrë ende pasi do të gjykohet veçmas nga anëtarët e tjerë.
Në tre ngjarjet kriminale, ky grup grabiti rreth 7 milionë Euro. Ditjon Memlika dhe Admir Çerpja ishin personat që bashkëpunuan me drejtësinë të cilët zbardhën rolet e të gjithë anëtarëve të grupit.
Grabitja e parë ndodhi më 12 Shkurt të 2015 në një bankë të nivelit të dytë afër stacionit të “Trenit” në Tiranë. Nën kërcënimin e armëve u morën 900 mijë Franga Zvicerane si dhe 800 mijë Paund Britanik.
Në Dhjetor të po këtij viti, këta persona grabitën në Qafë-Kashar një blind që po transportonte 3 milionë Euro.
Ndërsa në Shkurt të 2017-ës i njëjti grup grabiti në rrugën e Rinasit 3.2 milionë Euro duke goditur me një mjet, makinën e blinduar që transportonte paratë.
Dënimet për grabitësit:
Dash Kupa 18 vite
Ernest Kupa 17 vite e 4 muaj
Neim Avdylaj me 17 vite e 4 muaj
Fatjon Xhyliu me 14 vite
Dritan Sinani me 13 vite e 4 muaj
Aleksandër Murataj me 12 vite e 8 muaj
Ditjon Memlika 5 vite e 8 muaj
Admir Çerpja me 5 vite e 8 muaj
Tv Klan