Dënohet me 35 vjet burg Julian Sinanaj
Pas 65 seancash dhe gati 2 vjet gjykim, Gjykata për Krimet e Rënda ka përfunduar procesin për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj dhe 6 të pandehurit e tjerë. 1 burgim i përjetshëm dhe 77 vite burg në total janë dhënë për ta.
Mbi ta rëndonin e akuzat grupit të strukturuar kriminal, vrasje për qëllime interesi dhe vepra terroriste. Sinanajn, togat e zeza vendosën ta dënojnë me 35 vite burg. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm, pasi bashkëpunoi me prokurorinë.
Sipas dosjes së organit të akuzës, ai ka kryer të paktën dy vrasje në Vlorë, me porosi të Genis dhe Andon Mëhillaj, edhe këta të pandehur në këtë proces. Gjithashtu, Sinanaj akuzohet edhe për vendosjen e tritolit në banesën e ish – Deputetit Ardian Kollozi.
Andon Mehillajn, gjykata vendosi ta dënojë me burgim të përjetshëm.
Ndërsa kushëriri i tij Genisi u dënua në mungesë, me 10 vite heqje lirie.
Për Ndriçim Gjokonën, të penduarin tjetër në këtë gjyq, togat e zeza e dënuan me 8 vite burg.
Për biznesmenin e gazit, Ilir Karçini, u dhanë 5 vite burg, pasi porositi Julian Sinanajn të vrasë konkurentin e tij Piro Bare, kundrejt 150 mijë eurove.
Marion Mitron, gjykata vendosi ta dënojë me 19 vite heqje lirie. Sipas Prokurorisë, ai kishte vendosur ekslozivin e gjetur në makinën e ish – Prefektit të Vlorës. Mina u gjet gjatë kontrollit të bërë nga Garda, në hyrje të Kryeministrisë.
Tv Klan