Denoncimi i “STOP”: 30 mijë lekë për të hyrë në shkollën “Karl Gega”, shkarkohen drejtuesit
Mesatarja ishte një kriter i fortë që penalizoi shumë maturantë për të fituar të drejtën e studimit në universitet, çka solli dhe protestën e tyre përpara Kryeministrisë.
Por kur mesatarja është e pamundur për t’u “arritur”, ajo mund të blihet.
Emisioni “STOP” denoncoi në takimin e të mërkurës një rast kur një prind pagoi 30 mijë lekë rryshfet për të regjistruar fëmijën në shkollën profesionale Karl Gega në Tiranë.
I menjëhereshëm ka qenë reagimi i Ministrit të Mirëqenies Sociale, i cili ka zhvilluar një takim me stafin pedagogjik të shkollës Karl Gega, ku është komunikuar dhe shkarkimi i drejtuesve të kësaj shkolle, si dhe i ka kërkuar Prokurorisë procedim penal për 2 mësuesit, atij që shfaqet në video duke marrë rryshfetin, si dhe mësuesit që është përgjegjes për regjistrimin e nxënësve.
Sipas Klosit janë dhjetëfishuar kërkesat e të rinjve për shkollat profesionale, por kjo nuk do të thotë se do të hiqet dorë nga zbatimi rigoroz i kritereve të pranimit.
Të hënën, “STOP” denoncoi një tjetër rast korrupsioni në arsim, me Shefen e Katedrës së Universitetit të Shkodrës që merrte 100 euro për t’u vendosur studentëve notat që dëshironin.
Ajo është shpallur në kërkim nga policia, me kërkesë të prokurorisë, që ka nisur hetimet.
Tv Klan