Denoncimi në “STOP”/ 70-vjeçari vuan dënimin me burg për akuzën e pabazë
Emisioni investigativ “STOP” ka trajtuar historinë e 70-vjeçarit Tajar Mukaj, të cilit i është privuar liria në mënyrë të padrejtë.
Ai po vuan një dënim të pabazë në burgun e Fierit. Këtë rast e ka denoncuar në “STOP” djali i Mukajt, i cili kërkon drejtësi për babain e tij. I moshuari është dënuar me 7 muaj heqje lirie për falsifikim dokumentesh në hipotekën e Lushnjes, edhe pse nuk ka punuar kurrë në këtë institucion. Ekspertiza e gjykatës ka dalë në përfundimin, se dokumentet nuk janë nënshkruar nga zoti Mukaj, por ky i fundit vijon të mbetet i privuar nga liria. Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”? Djali i Tajar Mukajt:“Babai im ndodhet në burg sot edhe akuzohet për një gjë që nuk është bërë nga babai im. Për një tokë që e kemi marrë në ’93. Vërteton se babai im e ka tokën në emrin e tij. Vërtetim nga komuna Mallakastër, që toka është në mbiemrin e babait tim. Vërtetim që babai im ka paguar nga ‘93-deri në 2014 të gjitha taksat e tokës. Libri i ngastrës që ka ardhur nga Tiranë dhe ka ardhur në emrin e babait tim dhe vërtetim prapë nga komuna që është e babait tim, prapë nga kryetari i Komunës.
Kush është akuza e nisjes së këtij procesi gjyqësor në 2014? Djali i Tajar Mukajt:“Akuza është falsifikim dokumenti kundër babait tim për aktin e pronësisë që ky akt pronësie nuk është bërë nga babai im në shtëpi. Këtu ka qenë një punonjës shteti, në një zyrë që bënte të gjitha aktet e pronësisë dhe nga i ka dalë ky akt pronësie? Si mund të bënte babai im një akt pronësie në shtëpi, të plotësonte shumë toka, të bënte 4 muaj burg dhe të na linte ne pasuri. Dhe këtë që them unë e vërteton edhe eksperti .
Kush ekspert? Ekspert privat që keni marrë ju për çështjen? Djali i Tajar Mukajt:“Jo, këtë ekspert e ka caktuar Gjykata e Fierit”
“Pas ekspertit, vjen vendimi i gjykatës, babai im akuzohet dy herë, njëherë 4 muaj burg dhe herën e dytë 7 muaj burg.”
Djali i Tajar Mukajt:“Vjen dhe Policia e Fierit në orën 12 të natës tek shtëpia e arrestojnë si një kriminel sikur të kishte vrarë 2-3 veta, me kallash e shumë gjëra të tjera, prandaj i jam drejtuar emisionit “STOP” për drejtësi.”
Lidhur me këtë rast, “STOP” ka marrë një prononcim edhe të avokatit të çështjes i cili thotë nuk ka vepër penale të kryer nga Tajar Mukaj sepse akti mbi të cilin pretendohet se është gjetur falsifikimi është një akt që ka dalë nga zyrat e shtetit shqiptar, konkretisht nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Mallakastër. Ju si avokat mbrojtës çfarë mund të na thoni për rastin dhe në çfarë faze është? Safet Haxhiaj, avokati :“Është në Gjykatën e Lartë. Kemi bërë rekurs ndaj dy vendimeve të shkallës së parë Fier dhe të Apelit Vlorë. Nuk ka element të ndonjë vepre penale të kryera nga Tajar Mukaj sepse akti mbi të cilin pretendohet se është gjetur falsifikimi është një akt që ka dalë nga zyrat e shtetit shqiptar, konkretisht nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Mallakastër, që përfshin fshatin ku ndodhet Tajari dhe kjo është e rregullt në formë dhe në përmbajtje, edhe sot e kësaj dite figuron në emër të Tajarit kjo parcelë. Nëse do të kishte falsifikime, Tajari nuk ka mundësi për shumë arsye, asnjë lloji mundësie nuk ka, as mundësi intelektuale, as mundësi praktike për të ndërhyrë atje. Ndërkohë është e shkruar e zeza mbi të bardhë që parcela i takon Tajarit dhe pas atij që quhet azhornim. Por, edhe nëse do të ishte kështu atëherë më e pakta që duhet të bënin që nga organet e hetimit paraprak por edhe të hetimit gjyqësor në shkallë të parë, por edhe me kërkesën time u çel pjesërisht hetimi gjyqësor në shkallë të dytë, duhet të thirreshin këta persona të cilët e kanë firmosur e vulosur dokumentin përkatës.”/tvklan.al