Denoncimi në STOP, Anjeza Shabani pyetet në polici për dhunën ndaj fëmijës 3-vjeçar
Një ditë pasi u arrestua nga policia me urdhër të prokurorisë për keqtrajtimin barbar të një fëmije 3-vjeçar dhe shpërdorim detyre, Anjeza Shabani është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.
33-vjeçarja e ka pranuar se e ka dhunuar fëmijën. Por ka thëne se e ka qëlluar vetëm herën që është regjistruar nga kamera e fshehtë dhe asnjëherë tjetër.
Ajo është shprehur se pasi e ka qëlluar e ka puthur dhe përqafuar. Burime të policisë thanë se ajo dëshmoi e përlotur. Por ndryshe nga sa deklaron autorja e këtij skandali, babai i fëmijës së dhunuar, thotë se djali i tij kishte prej kohesh shenja ne trup. Sipas tij, rrahjet kanë qenë të vazhdueshme dhe për këtë arsye ai kërkoi ndihmën e emisionit “STOP”, që zbuloi dhe provoi dyshimet e tij.
Babai i fëmijës: “
Djali na ka ardhur me shenja në shtëpi, kemi konstatuar dhunë. Jemi të bindur se aty ka dhunë dhe prandaj duam ndihmën tuaj. Gjendja paraqitet shumë e agravuar. Ai nuk flet, ka vështirësi në të folur dhe ne vetëm nëpërmjet shpjegimeve fizike kemi arritur ta kuptojmë. Ne jemi të bindur që aty ka dhunë.”
Këto dyshime të forta të një prindi në vështirësi u provuan nga futja e një kamere të fshehte në ambientet e kopshtit “Diren”, nga emisioni “STOP”. Në pamjet filmike, administratorja Anjeza Shabani shihet teksa e qëllon dhunshëm vogëlushin 3-vjecar, në sy të fëmijëve të tjerë që janë të tronditur, dhe në prani të një edukatore tjetër, e ndaluar gjithashtu nga policia.
Policia e nisi kryesisht procedimin sapo pamjet filmike të këtij skandali u shfaqen në emisionin “STOP” në Televizionin Klan, mbrëmjen e të hënës. Hetimet do të thellohen me marrjen në pyetje të edukatoreve të si dhe të ekspertimit mjeko-ligjor të fëmijës. Dy akuzat e ngritura ndaj Anjeza Shabanit, ajo e dhunës ndaj të miturve dhe abuzimi i detyrës, parashikojnë dënime me burg.
TV KLAN