Denoncimi në “STOP” / Vdiq në ‘71, por figuron “gjallë” për institucionet
Në emisionin investigativ “STOP” ka ardhur një denoncim i pazakontë. Vitori Truja 83 vjeç, nga qyteti i Vlorës, i është drejtuar Televizionit Klan për të rrëfyer një problematikë që lidhet me vjehrrën e saj, Kristina Truja. Kjo e fundit, ka lindur me 02 Mars të vitit 1894 dhe ka ndërruar jetë me 31 Mars të vitit 1971. E çuditshmja në këtë histori është se për institucionet shtetërore ajo vijon të figurojë e “gjallë” dhe është plot 122 vjeç.
Vitori Truja:“Jam një grua e moshuar 83 vjeç, me gjithë hallet e mija që më kanë rënë, më kanë ikur dy djem, më del edhe vjehrra e gjallë që më ka vdekur me 31 Mars të vitit 1971. Shkojmë në gjendje civile për të marrë çertifikatë, Kristina del e gjallë.”
Gazetarja: Në momentin që ka vdekur, keni dërguar në Gjendjen Civile aktin e vdekjes? Vitori Truja:“Kemi dorëzuar pasaportën se po të mos e dorëzoje pasaportën nuk e bëjnë ç’regjistrimin. Ato i bënë të gjitha, morëm fletat edhe shpërblimin, se atëherë jepnin edhe shpërblim. Këto janë hallet që nuk i zgjidhim dot. E kemi Kristinën, vetëm se nuk e kemi në tavolinë.”
Lidhur me këtë denoncim të bërë, stafi i emisionit ka siguruar edhe disa dokumente ku e vërtetojnë këtë fakt. Në këto dokumente figuron ende emri i Kristina Trujës: Çertifikatë personale, e marrë me 23. 01. 2015, çertifikatë familjare, e marrë me 11. 02. 2014. Edhe pse një rast i pazakontë, gazetarja ka udhëtuar drejt Vlorës, pikërisht tek varri ku prehet trupi i të ndjerës, ku edhe pse kanë kaluar më shumë se 45 vjet që ajo ka ndërruar jetë, ajo figuron e "gjallë". Për të hedhur dritë mbi të vërtetën, stafi i është drejtuar Gjendjes Civile në Vlorë. Por, punonjëset e këtij institucioni u shprehën se familja nuk ka marrë masa për ta ç’regjistruar dhe se nuk u takon atyre kjo kompetencë për të bërë ç’regjistrimin. Sipas tyre, ky veprim i takon Arkivës së Qarkut të Vlorës. Sërish stafi i është drejtuar Arkivës së Vlorës, por edhe këtu nuk është dhënë një sqarim i plotë i çështjes. Punonjësa e Arkivës shprehet se për ç’regjistrimin e saj duhet vendimi i gjyqit. Vitori Truja, nusja e të ndjerës edhe pse 83 vjeç, pas gjithë këtyre peripecive për të bërë një ç’regjistrim, i është drejtuar edhe Gjykatës, ku ka dorëzuar një kërkesë-padi lidhur me këtë çështje, por kërkesa e saj sërish u hodh poshtë me arsyetimin se kërkuesja nuk kishte paraqitur asnjë vërtetim negativ. Vendimi i Gjykatës:“Nga ana e kërkueses u pretendua se vjehrra e saj, shtetasja Kristina Truja u pretendua se ka ndërruar jetë dhe se ky fakt nuk është pasqyruar në regjistrin e Gjendjes Civile. Por, në lidhje me këtë rrethanë të kërkuar kërkuesja nuk paraqiti asnjë vërtetim negativ.”
Gjykata vendosi rrëzim të kërkesë-padisë së Vitori Trujës dhe shpenzimet gjyqësore në ngarkim të saj./tvklan.al