Denoncimi në “STOP”/Ja si abuzohet me punonjësit në spitalin e Bilishtit


Denoncimi në “STOP”/Ja si abuzohet me punonjësit në spitalin e Bilishtit

20:47 11/07/2016

Në emisionin investigativ “STOP”, në Televizionin Klan kanë ardhur dy denoncime, nga dy punonjës të spitalit të Bilishtit në Korçë pasi thonë se janë hequr padrejtësisht nga puna.

Rasti i parë i denoncuar është ai i zonjës Adriana, e cila ka punuar prej vitesh si sanitare në këtë spital. Ajo akuzon drejtorin e spitalit, pasi sipas saj, e ka hequr padrejtësisht nga puna prej një viti, për arsye politike.

stop 1

Stafi i emisionit ka udhëtuar drejt Bilishtit, për t'u njohur më nga afër me problematikën dhe për të marrë një prononcim të drejtorit të spitalit, lidhur me këtë rast.

I pyetur për arsyen e shkarkimit nga puna të zonjës Adriana, drejtori i spitalit dha disa arsye. Sipas tij, Adriana nuk kishte zbatuar orarin e punës, si dhe puna e saj kishte qenë e dobët.

stop 3

“Çarçafët laheshin dhe ndeheshin, ikte nga puna dhe më pas vinte e i mblidhte. Nuk respektonte orarin e punës. Gjithashtu çarçafët e bardhë ishin kthyer në ngjyrë të verdhë”-

 thotë ai.

Për mikrofonin e "STOP", Adriana shprehet gjithashtu se vendin e saj e ka zënë një e afërme e drejtorit. Për të parë nëse zëvendësuesja e Adrianës punonte sipas rregullave, “STOP” vendosi të bënte një vëzhgim në spital.

Sanitarja jo vetëm që nuk erdhi në orarin e caktuar, por ajo që u vu re ishin edhe çarçafët, që ndonëse Adriana kishte një vit që ishte larguar nga puna, ato vijonin të ishin të verdhë.

stop4

Por, në spitalin e Bilishtit me sa duket problemet nuk kanë të mbaruar. Zonja Adriana nuk ishte e vetmja që kishte probleme me drejtorin.

stop 2

Hajder Muzikanti është denoncuesi tjetër, i cili ka punuar në mirëmbajtjen e këtij spitali. Ai pohon se është hequr padrejtësisht nga puna nga drejtori, me motivacionin e prishjes së qetësisë publike në ambientin e brendshëm të spitalit.

Por çudia nuk mbaron me kaq. Në kohën kur ai ishte në punë, drejtori i këtij spitali i kishte deleguar punë jashtë orarit, të cilën ky punonjës duhet ta kryente. Por autidi e gjobit për këto orë shtesë që ai ka punuar, ndërsa drejtori jo vetëm që nuk i ka dhënë zgjidhje, por ka firmosur gjobën e dhënë ndaj tij.

Përveç kushteve skandaloze që vërehen brenda ambienteve të këtij spitali, në pjesën e jashtme, më saktë në oborr, një kioskë i uron “mirëseardhjen” të gjithëve atyre që duan të konsumojnë birra, gjë që nuk lejohet brenda ambienteve të një spitali.

kioska

Lidhur me këtë, drejtori është shprehur se është bërë kërkesë në vitin 2013 tek INUK për ta hequr, duke "harruar" faktin se tashmë jemi në vitin 2016./tvklan.al





Të ngjashme