“Dental turk”, mbyllet laboratori i palicensuar e gjobitet me 50 mijë lekë
Disa ditë më parë qytetari Kastriot Frangu denoncoi në emisionin “Stop" klinikën dentare “Dental Turk” që i kishte bërë një protezë problematike, për të cilën nuk i përgjigjej as për dëmshpërblim dhe as për ribërjen e saj. Kastrioti pagoi 1 milion e 200 mijë lekë për këtë protezë, pasi i kishin dhënë 5 vjet garanci.
Kryeinspektori i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda, pasi ngriti grupin e ekspertëve për këtë rast, deklaroi edhe konkluzionin. Laboratori dentar i “Dental Turk” është i palicencuar, si dhe katër punonjës të tij janë po ashtu pa licencë."Rezultoi se klinika është me dokumentacionet e duhura, por laboratori dentar është i palicencuar, me mungesë dokumentacioni dhe ka mungesë qoftë në pajisjen e punonjësve me licencat profesionale, qoftë edhe në kushte të tjera që lejojnë për të funskionuar një laborator dentar",
u shpreh Deda. Ndaj dhe ”Dental turk” u gjobit me 50 mijë lekë të reja gjobë dhe mbyllje të laboratorit deri në plotësimin e dokumentacionit përkatës për ushtrimin normal të aktivitetit. Kastriot Frangu sëbashku me gazetaren e emisionit "Stop" iu drejtuan institucionit Avokati i Popullit, duke iu referuar "Kartës së të Drejtave të Pacientit", për të bërë një ankimim. Ndihmëskomisionerja e Avokatit të Popullit, Lindita Xhillari i premtoi Kastriot Frangut mbështetje ligjore falas dhe ndjekje të çështjes deri në fund."Pa dyshim që qytetari ka të gjithë të drejtën e tij që të kërkojë dëmshpërblimin monetar për atë dëm që i është shkaktuar shëndetit të tij. Kjo edhe në kuadër të të drejtës së tij për të jetuar shëndetshëm",
tha Xhillari. Denoncuesi u shpreh se kjo ka qenë një sagë e vërtetë për të gjetur të drejtën e tij, por tanimë i ngelet të presë rezultatet e institucioneve për ta zgjidhur çështjen në Gjykatë, në mënyrë që të marrë dëmshpërblimin që i takon. /tvklan.al