Dentistët në Poliklinikën 9 konflikt gjyqësor me Drejtorinë e Shëndetit Publik (6 Dhjetor 2000)
Kjo është Poliklinika 9 në Tiranë. Prej gati 30 vitesh, këtu ka ekzistuar dhe Reparti i Stomatologjisë ku gjithsej punojnë 20 dentiste. Ka disa kohë që midis tyre dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik ka lindur një konflikt. Sot rreth orës 11:00 të mëngjesit, këtu ishte e pranishme policia e cila i ka paralajmëruar dentistët të largohen nga vendi ku punojnë në orën 13:00. Shkaku i këtij largimi sipas policisë ishte se në dhjetor ka mbaruar kontrata e qerase midis dentistëve dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe kjo kontratë nuk mund të rinovohet më.
Ndërkohë dentistët kanë hedhur në gjyq Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe gjyqi është në proces. Avokati që mbron stomatologët shprehet:
“Në bazë të kodit civil 803, paragrafi i fundit, ka likujduar qeranë. Pra, kontratat deri në 1 vit mund të lidhen dhe pa shkrim. Gjithashtu ne kemi bërë dhe një padi gjyqësore sepse një vendim i këshillit të ministrave numër 606 i dhjetor 1999 na jep të drejtë që ne t’a privatizojmë këtë me tre kushte: kur nuk ka pronar trualli, kur nuk ka pronar ndërtese dhe kur ne jemi me kontratë qeraje.”
Punonjëset e këtij institucioni shëndetësor kanë privatizuar mjetet e punës dhe ata mendojnë që me anë të gjyqit të marrin të drejtën e pronësisë mbi këtë objekt./tvklan.al