Dentistët që duan të punojnë në Tiranë, duhet të kenë 15 vite eksperiencë pune (28 Mars 2001)
Në Rrethin e Tropojës sot ka vetëm një dentist për rreth 8 mijë banorë, thotë shefja e sektorit stomatologjik në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo dukuri vihet re dhe në rrethet e tjera të Shqipërisë. Lëvizja e popullsisë në rrethet e tjera dhe në qytetet e mëdha, u shoqërua dhe me ardhjen e një numri të madh dentistësh për në Tiranë. Kështu në qytet u vu re shtimi i klinikave stomatologjike.
Për të disiplinuar hapjen e klinikave dentare, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një urdhëresë ku jepen kriteret bazë për dhënien e licensave për mjekët stomatologë privatë që transferohen në kryeqytet. Kështu këta të fundit duhet të kenë një eksperiencë pune prej 15 vitesh në këtë sektor në rrethin përkatës. Mirela Bogdani, shefe e sektorit stomatologjik në Ministrinë e Shëndetësisë shpjegon arsyen e marrjes së këtij vendimi.
“Duke qenë se gjithë dentistët dhe tendenca e tyre ishte për të hapur klinikë dentare në Tiranë, fenomeni i parë që na ndodhi ishte që rrethet e largëta dhe të vogla dhe kryesisht zonat rurale, kanë mbetur të pambuluara me shërbim stomatologjik. Gjë që objektivi ynë si shërbim publik dentar është që të kemi një shërbim publik apo privat, në përgjithësi shërbim dentar, që të mbulojë të gjithë popullatën e vendit, në mënyrë proporcionale.”
Në bazë të kësaj urdhërese , mjekët stomatologë të transferuar në Tiranë, u jepet e drejta të hapin klinikat e tyre stomatologjike vetëm në zonat e lira të kryeqytetit në bazë të përhapjes së klinikave dentare private të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë./tvklan.al