Depoja e Përmetit, pikë grumbullimi për kanabisin e zonës
Magazina në fshatin Pagri të Përmetit ku u gjetën 11.6 ton kanabis shërbente prej tre muajsh si pikë grumbullimi lëndësh narkotik e mbjellë në këtë zonë.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje banorët e fshatit të cilët kanë deklaruar se në magazine punonin një numër i madh personash.
Tv Klan mëson se të njëjtit dëshmitarë kanë sqaruar se ata nuk lejoheshin që t’i afroheshin hambarit të drogës dhe shumica e njerëzve që punonin aty ishin të panjohur për ta.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme kishte marrë një informacion nga një burim anonim për praninë e drogës në magazinë dhe menjëherë kishte nisur me organizimin e operacionit.
Por ka dyshime se operacioni është dekonspiruar, pasi policia nuk arriti të gjente asnjë nga trafikantet në magazinë.
Një specialist komisariatit të Permetit u përjashtua nga policia. Shefi i komisariatit dhe shefi i krimeve u shkarkuan. Ndërsa ndaj drejtorit të policisë së Gjirokastrës, nën drejtorit dhe 3 drejtuesve të tjerë ka nisur një procedim disiplinor.
Policia arrestoi edhe kryeplakun e fshatit Pangri dhe dy administratorët e depove, si dhe shpalli në kërkim një të tretë.
Deri tani ata nuk kanë dhënë dëshmi të vlefshme për identifikimin e trafikantëve.
Policia ka sekuestruar disa prova, përmes të cilave shpreson të arrijë në zbulimin e tyre.
Tv Klan