Deputetët me maska dhe doreza, si nisi seanca plenare
Deputetët janë mbledhur këtë të enjte në një seancë plenare që po zhvillohet në masa të papara ndonjëherë më parë për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.
Të pajisur me maska dhe doreza, deputetët janë ulur në distanca të paktën 1.5 metra larg, ndërsa disa janë vendosur në llozhat, ku më parë qëndronin gazetarët.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkoi deputetëve që të flasin nga vendi. Seancën e jashtëzakonshme, Ruçi e konsideroi si përmbushje të detyrës së Kuvendit.
“Fillojmë këtë seancë që është jo e zakonshme, Kuvendi është në përmbushje të detyrës së vet në këto rrethana të jashtëzakonshme, në kushtet e një lufte me një armik të padukshëm për syrin njerëzor, por tepër të rrezikshëm për jetën e njerëzve”, tha Ruçi duke shtuar se vendi ka përballuar dy gjendje të jashtëzakonshme, pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Ruçi i shprehu ngushëllimet familjeve që kanë humbur njerëzit e afërm për shkak të Covid-19. Gjithashtu ai i uroi shërim të shpejt deputetit Adriatik Alimadhi, i vetmi i infektuar me koronavirus nga radhët e parlamentit. Mirënjohje Ruçi shprehu për mjekët, gazetarët, policët dhe ushtrinë.
Pritet që seanca të zgjasë 2 orë për të votuar 22 nisma ligjore duke filluar nga ndryshimet në Kodin Penal, aktet normative që janë nënshkruar nga ministrja e Shëndetësisë për masat ndaj COVID-19, rishikimi i buxhetit të 2020, lirimi i një kategorie të dënuarish dhe shtyrja e pagesës së këstit të tatimit mbi të ardhurat për bizneset. /tvklan.al