Derbi i kryeqytetit nuk ka fitues
Tirana-Partizani përfundon pa gola
Nuk ka fitues në derbin e parë të sezonit mes Tiranës dhe Partizanit. Skuadrat janë ndarë në barazim 0-0. Që prej nisjes së kësaj sfide dy ekipet rivale bënë një lojë të kujdesshme.
Më së shumti futbollistët në fushë iu përmbajtën vendosjes taktike duke mos ndërmarrë sulme, por duke pritur në ndonjë gabim të kundërshtarit. Strategjia kryesore e zgjedhur nga të dy trajnerët Dede dhe Daja ishte që të shkatërroheshin aksionet e kundërshtarit duke mos lejuar lojë të rrjedhshme me pasime të shumta.
Edhe fusha e stadiumit “Air Albania” ndikoi në dëm të lojës së të dy ekipeve. Takimi u luajt pa praninë e tifozëve si masë anti-Covid, por grupimi “Tirona Fanatics” e ka transferuar koreografinë në sheshin “Skënderbej” edhe pse grumbullimet janë të ndaluara.
Barazimi nuk i vlen asnjërës prej skuadrave. Të kuqtë rrezikojnë vendin e parë nga Vllaznia që do të përballet me Bylisin. Ndërsa Tirana kërcënohet nga vendet e ulëta të renditjes.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për javën e 6 të Superligës. Të gjitha takimet e tjera do të luhen të shtunën.
Tv Klan