Dërguan libra shqiptarë në Greqi, dënohen 30 muaj me kusht dy shoferët shqiptarë


Dërguan libra shqiptarë në Greqi, dënohen 30 muaj me kusht dy shoferët shqiptarë

19:21 18/11/2016

Gjykata e Janinës i shpalli fajtorë dy nëpunësit e Ministrisë së Jashtme shqiptare, që transportonin tekste shkollore për në Greqi. Altin Tafa dhe Agim Asllani u dënuan me nga 30 muaj me kusht. Kjo nënkupton se ata do qëndrojnë të lirë, por nuk duhet të kryejnë vepra penale. Gjithashtu nuk u lejohet hyrja në territorin grek.

Dy nëpunësit e Shtetit Shqiptar u shpallën fajtorë për akuzën “tentativë për futjen e materialeve propagandistike në Greqi”. Ata u ndaluan para disa ditëve dhe janë marrë në pyetje pasi transportonin libra për mësimin e Gjuhës Shqipe në Greqi. Mes librave kishte dhe harta me vendndodhjet e shqiptarëve në Ballkan. Këto të fundit janë konsideruar nga policia greke si material propagande, që evokojnë Shqipërinë e Madhe.

Tafa dhe Asllani nuk ishin prezentë në sallën e gjyqit. Si dëshmitarë të akuzës deponuan punonjës grekë të Doganës dhe Policisë së Kakavijës.

Dënimi i tyre vjen në një kohë kur marrëdhëniet Athinë – Tiranë janë të tensionuara për shkak të replikave mes dy qeverive. Debatet nisën pas komenteve të zyrtarëve grekë për prishjen e disa ndërtimeve në Himarë.

Komente pati edhe për një postim të Kryeministrit Rama në Facebook, ku shkruante se tempulli i Akropolit të lashtë, u mbajt në këmbë nga shqiptarët. Këto çështje nxitën analistë grekë të shkruajnë se Shqipëria ndikohet nga Turqia në Ballkan dhe se Athina mund të vendosë veto për anëtarësimin e vendit tonë në BE.

Tv Klan






Të ngjashme