Dëshmia e fëmijës: Autorët ishin dy, u pritën nga një i tretë më makinë të errët


Dëshmia e fëmijës: Autorët ishin dy, u pritën nga një i tretë më makinë të errët

23:38 08/06/2020

Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Opinion”, gazetari Spartak Koka solli të dhëna nga hetimi për ngjarjen, ku sipas burimeve nga policia dhe banorët në Fushë-Mbret është administruar dëshmia e një të mituri, i cili ka rrëfyer të dhëna të vlefshme për momentin e largimit të autorëve të atentatit ndaj Ardian Çapjes, pasi ata dogjën makinën.

Në Fushë-Mbret morëm gjithashtu edhe disa informacione të tjera, se kemi një fëmijë, i cili ka ndihmuar policinë për momentin kur janë larguar autorët. Dhe ka deklaruar se kanë qenë 2 persona, të cilët janë larguar pasi është djegur mjeti dhe janë pritur nga një automjet tjetër, i vogël, ngjyrë e errët, me targa dyshohet, nga biseda që kishte bërë policia aty në zonë, dyshohet se targat edhe të mjetit tjetër me të cilin kanë lëvizur autorët, ku i priste një person, të jenë të vjedhura”, tha Koka, i cili këtë të hënë ka raportuar nga vendi ku dyshohet se u qëllua Çapja dhe nga vendi ku u dogj makina.  

Pra deri në këto momente, paraprakisht kemi dy autorë në Sharan dhe një autor në një tjetër në automjetin e vogël ngjyrë të errët, që dyshohet edhe ky me targa të vjedhura. Këtë informacion ne e konfirmuam edhe nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët po merren më rastin dhe hetimin e ngjarjes. Ajo që të bën përshtypje është së targat e mjetit Sharan i janë vjedhur një vit më parë një automjeti tip Citroen, në Fushë Krujë, ndërsa Sharani nuk dihet nga e ka prejardhjen dhe po verifikohet nga sektori i trafiqeve të paligjshme për të përcaktuar se nga e ka origjinën ky automjet.

Koka tha se kjo është ngjarja e dytë brenda vitit në Elbasan, ku përdorën automjete, apo targa mjetesh të vjedhura në Fushë-Krujë.

Kujtoni ngjarjen e vitit 2019, kur u vra avokati i njohur për qytetin e Elbasanit, Ravik Gurra, automjeti tip Benz që përdorën autorët ishte vjedhur 3 muaj para ngjarjes në Fushë-Krujë.” /tvklan.al  






Të ngjashme